Pas debatit që ka krijuar marrëveshja e qeverisë për administrimin e Parkut të Butrintit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka rikthyer për shqyrtim në Kuvend këtë marrëveshje. Kreu i shtetit është shprehur se kjo marrëveshje cënon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës. Presidenti tha se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.
“Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës. Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar. Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO. Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.
Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje. Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”.