12 nënkomisarë të rinj që sapo përfunduan studimet bachelor në Akademinë e Sigurisë, u emëruan ditën e sotme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, mesditën e sotme udhëtoi drejt Shkodrës, ku zhvilloi një takim me një grup oficerësh të rinj, të cilët pas përfundimit të studimeve bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe fitimit të gradës Nënkomisar, janë emëruar si specialistë për hetimin e krimit, narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme në DVP Shkodër dhe në komisariatet në varësi të saj.
Nano, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora, gjatë bisedës me oficerët e rinj, i ka inkurajuar ata për sfidat që i presin, sfida të cilat kërkojnë angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe ndershmëri, me qëllim që t’i jepet një impuls i ri punës së Policisë, në qarkun Shkodër.
Gjatë fjalës së tij Nano u shpreh: “Bëhuni palë me ligjin dhe jo me krimin, e të keni refren e motiv thënien e një luftëtari e atdhetari të shquar: “Që nga dita që jam lerë, kurrë s’jam shitur, kurrë s’jam blerë!” Shërbeni Policisë së Shtetit duke garantuar rend dhe siguri për qytetarët, luftoni krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti, dhe ju siguroj se do të keni përkrahjen më të madhe që ju s’e keni imagjinuar, do të keni përkrahjen dhe mirënjohjen qytetare që rrallëkush e fiton, dhe pa asnjë mëdyshje do të keni edhe mbështetjen time dhe të stafit drejtues të DVP Shkodër”, tha Nano.
