Finlanda ka reaguar ndaj kërcënimeve me luftë nga ana e Kremlinit. Gjenerali Timo Kivinen deklaroi këtë të mërkurë se vendi skandinav është përgatitur për një sulm të mundshëm rus për dekada dhe do të ofronte rezistencë të fortë nëse kjo ndodh.
Sipas gjeneralit, një faktor kyç në rast të një sulmi të tillë do të jetë motivimi i finlandezëve për të luftuar.
“Linja më e rëndësishme e mbrojtjes është ajo mes veshëve, siç po e dëshmon lufta në Ukrainë”, tha Kivinen në një intervistë.
Finlanda luftoi dy herë në vitet 1940 kundër fqinjit të saj lindor me të cilin ndan një kufi 1300 kilometra të gjatë.
E shqetësuar se Rusia mund të kryejë një pushtim të ngjashëm me atë të Ukrainës që ndodhi më 24 shkurt, Finlanda neutrale ka aplikuar për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, Helsinki ka qenë në një nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake.
“Ne kemi zhvilluar sistematikisht mbrojtjen tonë ushtarake për këtë lloj lufte që po ndodh në Ukrainë, me përdorimin masiv të fuqisë së zjarrit, forcave të armatosura dhe forcave ajrore,” tha Kivinen.
“Ukraina është një detyrë e vështirë (për Rusinë), dhe po ashtu edhe Finlanda.”
Rreth 100.000 finlandezë u vranë gjatë dy luftërave që Finlanda zhvilloi kundër Bashkimit Sovjetik dhe humbi një të dhjetën e territorit të tyre.