Presidenti Ilir Meta është shprehur sërish kundër ‘Ballkanit të Hapur’, duke e cilësuar nismën si iniciativë hibride që synon të dobësojë Kosovën dhe të faktorizojë Beogradin.
Meta tha se të gjithë ata që bënë llogaritë për të ‘ekzekutuar’ pluralizmin politik dhe demokracinë, me qëllim shkatërrimin e interesave kombëtare, do të zhgënjehen shumë thellë pas 25 korrikut.
Pyetje: Ilir Meta për Kosovën, është vështirë të gjesh një gjë që të ketë bërë gabim. A keni një mendim se çfarë do të ndodhi? Sepse ka shpërthyer në media, kanë shpërthyer këta, edhe ato takimet me Vuçiç. Duket sikur na kanë turbulluar edhe neve gazetarëve..!
Presidenti Meta: Mendoj se edhe situata në Shqipëri që është toleruar për një kohë të gjatë të degradojë në këto nivele, ka si shkak pikërisht, një koncesion që është bërë për një politikë minuese ndaj pozitës së Kosovës nga ana e Kryeministrit aktual.
Këto nuk mendoj se kanë të bëjnë me ndonjë paranojë të caktuar të askujt, por janë të bazuara në fakte dhe të vërteta.
Siç është deklarata e tij në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në mbledhjen solemne, se sipas tij në një të ardhme të shpejtë dy vendet do të kishin një President.
Pra me një mesazh të qartë, që Kosova nuk do të jetë një subjekt i pavarur në Kombet e Bashkuara.
Së dyti, hedhja në gjyq e Kryeministrit të Kosovës nga Kryeministri i Shqipërisë, nuk kanë rëndësi emrat, është një fakt, është një fakt i rëndë që regjistrohet kudo, që nuk i shërben as Kosovës, as Shqipërisë, dhe as marrjes në një konsideratë më serioze të gjithë shqiptarëve.
Pastaj kjo çështja e Ballkanit të Hapur, e Novisadit, e Mini-Shengenit, se janë ndërruar nja tre emra, është e qartë se është një iniciativë e cila synon të dobësojë Kosovën, ta paraqesë atë si një faktor jo bashkëpunues, por destruktiv.
Njëkohësisht të faktorizojë në mënyrë të pamerituar Beogradin, kur dihet, qëndrimi i tyre është shumë destruktiv për çështjen e Kosovës dhe jo vetëm.
Kemi sjelljet e tyre në raport me Malin e Zi, apo politikat e caktuara ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Ndërkohë, dihet që është Procesi i Berlinit, i cili është një proces solid, një proces që ka një kujdestari europiane, ka instrumente financiarë që mbështetet, ku janë të përfshira katër liritë, dhe ku Kosova është e barabartë, si gjithë të tjerët.
Kështu që këto lloj iniciativash hibride, përçarëse, synojnë thjesht të forcojnë regjimet autokratike në rajon.
Por, kurrsesi të forcojnë bashkëpunimin rajonal përmes partneritetit, dhe të përshpejtojnë integrimin evropian të vendeve tona.
Pyetje: Unë hyj tek ata që mendoj se Ilir Meta do të rikthehet dhe njëherë në Presidencë, sepse është shumë i ri, kohët do të ndryshojnë dhe shumë njerëz i thërret dhe historia dhe kështu. Keni besim se karriera juaj është në zenit, dhe do të vazhdoni akoma më para karrierën tuaj politike? E dini përse ju a thashë këtë i nderuar President, sepse na ka humbur shpresa për të gjetur një avokat të halleve të popullit, avokat të karburanteve, avokat të çmimeve, avokat të rrugëve, avokat të sëmundjeve. Na ka humbur shpresa. Duhet ta dini se situata poshtë, është që duan një avokat që të jetë përfaqësuesi i tyre.
Presidenti Meta: Unë besoj se kam një mision të pashmangshëm për t’ju përkushtuar rivendosjes së demokracisë në vend, të gjithë sistemit të llogaridhënies dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare që minohen në mënyrë sistematike.
Kjo është një sfidë e cila nis në 25 Korrik, dhe është një sfidë që do ti bëj bashkë gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë. Jam shumë besim plotë se, ne do të tregojmë se jemi vërtet një popull shqiponjash. Dhe të gjithë ata që bënë llogaritë për të ekzekutuar pluralizmin politik dhe demokracinë në Shqipëri, me qëllim shkatërrimin e interesave tona kombëtare, do të zhgënjehen shumë thellë.
