Notarja amerikane Anita Alvarez, e cila humbi ndjenjat gjatë provave në Kampionatin Botëror të Notit, u shpëtua nga trajnerja e saj, e cila nuk u mendua dy herë dhe u hodh në ujë.
Trajnerja Andrea Fuentes dha një deklaratë për mediat, ku tregoi se gjendja aktuale e notares është stabilizuar, ndërsa përshkroi edhe çastet e panikut që kaloi.
“Ishte një frikë e madhe. Isha e frikësuar sepse e pashë që ajo nuk merrte frymë, por tani po ecën shumë mirë. Ajo kishte vetëm ujë në mushkëri. U ndjeva sikur kishte një orë të tërë ashtu. Thashë se gjërat nuk ishin në rregull, u bërtita rojeve të plazhit të futeshin në ujë, por ata nuk e kuptuan atë që thashë”, u shpreh ajo.
Fuentes theksoi se kërkoi ndihmën e stafit të shpëtimit në momentin që pa se diçka nuk shkonte mirë, por fatkeqësisht askush nuk reagoi, ndërsa iu desh vetë të zhytej për të shpëtuar sportisten amerikane.