Shtëpia e Bardhë po planifikon që të shpërndajë mijëra vaksina për linë e majmunëve brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të fushatës për të ndalur shpërthimin e këtij virusi. Zyrtarët kanë bërë të ditur se janë duke punuar për të rritur numrin e testimeve dhe kanë zgjeruar grupin e njerëzve që këshillohen të vaksinohen. Në udhëzimin e fundit, qeveria amerikane i bën thirrje çdo qytetari që beson se është ekspozuar ndaj lisë së majmunëve të imunizohet.
Në SHBA pritet që së shpejti të nisë shpërndarja e 56,000 dozave të vaksinës Jynneos e cila është prodhuar nga kompania daneze, Bavarian Nordic. Autoritetet atje planifikojnë të ofrojnë mbi 1 milion doza përgjatë verës dhe vjeshtës. Jynneos është vaksinë e miratuar nga Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe dhe mund të ndalë infeksionin pasi një person të jetë ekspozuar ndaj virusit.
Shumica e rasteve të identifikuara tashmë në SHBA ndodhen në mesin e homoseksualëve mirëpo zyrtarët theksojnë se çdo njeri mund të infektohet.