Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka njoftuar këtë të mërkurë se është marrë vendimi për rritjen e normës së interesit me 0.5 pikë përqindjeje.
Në një konferencë për mediat, ai lajmëroi gjithashtu se në tremujorin e tretë pritet niveli më i lartë i inflacionit, që mund të luhatet në 7-8%.
“Inflacioni, e përmenda, ne presim që niveli maksimal i inflacionit do të arrihet, në tremujorin e tretë do jemi në nivelin maksimal. Presim shifrën e updetuar për muajin qershor, është për tu parë. Shifrat janë surprizues në këtë periudhë se ekonomitë janë duke u përballur me kriza të njëpasnjëshme. Rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte mbi pritshmëritë tona. Nuk mund 7 dhe 8 % kjo është për tua parë. Do kemi një rritje ekonomik e këtë vit midis 3 dhe 4%”, tha Sejko.
Ai ka paralajmëruar se ekonomia do të përballet me sfida serioze, duke vënë fokusin edhe mbi ngadalësimin që pritet të ndodhë në eurozonë.
“Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend. Megjithatë, përditësimi i parashikimeve tona sipas skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje solide në horizontin afatmesëm. Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare.”