Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka blerë 20,6 milionë euro energji elektrike vetëm për një javë.
Sipas tenderit të hapur për periudhën 11-17 korrik, KESH ka blerë 47,376 MWH energji elektrike me një çmim mesatar prej 434,88 euro, duke kapur shifra rekord të kohëve të fundit.
Sipas KESH, energjia me çmimin më të lartë në oraret e pikut ka arritur të sigurohet me një vlerë prej 443,79 euro për MWH.
Temperaturat e larta, mbi mesataren e periudhës gjatë javëve të fundit, kanë shtuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në vend.
Ky konsum ka detyruar KESH të importojë energji për të plotësuar nevojat e vendit.
KESH u bën thirrje konsumatorëve fundorë të përdorin në mënyrë sa më eficiente energjinë elektrike.
Mungesa e reshjeve gjatë kësaj periudhe ka bërë që edhe prurjet në Kaskadën e Drinit të bien ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të KESH, gjatë ditëve të fundit prurjet në Fierzë kanë rënë në 60 m3 në sekond.
Ndërkohë, edhe niveli i ujit ka pësuar ulje me disa metra, duke arritur në 287 metra në liqen, afër mesatares shumëvjeçare të kësaj periudhe.
Sipas përllogaritjeve paraprake, energjia pritet të kapë një faturë të kripur për buxhetin gjatë 3 muajve të verës .
Qeveria ka planifikuar të ndryshojë çmimin energjisë elektrike për familjarët që shpenzojnë më shumë se 700 KW orë energji elektrike në muaj. Por ende nuk ka një draft konkret për këtë nismë, që siç duket do bëhet konkrete në shtator.
