Sot në Kuvendin e Shqipërisë pritet të votohet marrëveshja që jep me koncesion parkun Kombëtar të Butrintit. Aktivistët e Shoqërisë Civile janë mbledhur para Kuvendit në një protestë për të kundërshtuar këtë vendim. Ata kanë dalë me pankartat e tyre para hyrjes së kuvendit ndërkohë që kanë hasur në kundërshtimin e forcave të policisë që gjendeshin aty pranë me arystimin se po bllokonin rrugën.
Prania e tyre vjen pak minuta para fillimit të seancës së sotme ku dhe ka vijuar ardhja e deputetëve, prania e të cilëve është shoqëruar nga thirrjet “Turp. Turp, duart larg Butrintit”.
“Ne do ta çojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Dihet që ligji do të votohet. Fjalia e vetme që kemi dëgjuar është që “do bëhet si themi ne, se ne e dimë çfarë bëjmë”. Ne që jemi specialistë nuk e dimë çfarë do bëhet, ata e dinë. Ishte skandal që nuk na lanë të shkojmë në Kuvend. Kjo është mall tregu, nëse kalohet në Komisionin Ekonomik. Të gjitha ndërtimet që do të bëhen atje, kazinotë, restorantet, diskot, etj, bëhen me lekët e popullit. Shteti do fusë tërë lekët që ka mbledhur këtë kohë nga Butrinti. Me një fjalë këtu kemi të bëjmë me një akt më skandaloz, që mund të ekzistojë”.
