Policia ka vendosur në dispozicion 3 milion lekë të reja për këdo person që do të jap informacione të sakta për zbardhjen e ngjarjes që mori 3 jetë mesditën e sotme në Fushë Krujë. Me anë të një njoftimi policia ka lënë numrin e telefonit si dhe aplikacionin e mesazheve WhatsApp, për këdo që ka informacione. Po ashtu policia ka siguruar qytetarët që do të japin informacione që do tu ruhet anonimiteti.
Njoftimi i Policisë:
Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, ju informojmë se:
Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj. Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë. Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Pasditen e sotme, tre persona janë vrarë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. 4 dyshohet se ishin atentatorët të cilët kanë qenë të maskuar, njëri prej tyre drejtues i mjetit i cili më pas u gjet i djegur tërësisht në fshatin Larushkë. Viktimat janë: Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit po u ekzekutua me breshëri plumbash, dy të tjerët u dogjën brenda mjetit. Tek makina e autorëve, identike me atë të viktimave, janë gjetur 1 armë automatike MP5 dhe 2 kallashnikovë.