Pasditen e djeshme, në një prej lokaleve luksoze në Tiranë, 24 deputetë të PD-së u bënë bashkë për të diskutuar të ardhmen e tyre politike. Deputeti Lefter Gështenja, i cili ishte një nga dy iniciuesit e takimit, bashkë me Flamur Hoxhën, thotë se në të ardhmen duhet një opozitë e koordinuar. Ndër të tjera Gështenja tha se partia ka nevojë për bashkëdrejtim, pasi ka mbaruar koha e unit.
“Nuk mendoj që në PD ka luftë. Kemi situatë jo normale. Ky takim ishte privat dhe informal. Koha që ne konsumuam, 5 orë e gjysmë, tregoi që kjo kafe ishte shumë e vlefshme. Kishim nevojë të flisnim me njëri-tjetrin, në atë kafe informale. Disa media na kanë etiketuar si grupi i Bashës, apo i Alibeajt, ky grup nuk identifikohet nga një njeri. Unë besoj që partia ka nevojë për bashkëdrejtim. Ka mbaruar koha e unit. Duhet që PD vërtet të jetë më demokratike. Nuk mund të vazhdohet më me këtë situatë kaotike. Ne po bëjmë opozitë individuale, s’kemi diçka të koordinuar. Imagjino 52 deputetë në Parlament, çfarë opozite reale do ishte. Fakti që ishim të pakoordinuar, kjo kërkohet. Të jemi të konsoliduar. Të parët të jemi të konsoliduar ne si grup, që s’morëm pjesë në Kuvendin e 30 prillit”.
I pyetur nëse grupimi shkon përtej Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt, Gështenja tha se përpara ka tre alternativa. “Ky grupi duhet të jetë i unifikuar, s’mund të vazhdohet kështu. Tre alternativa kemi, e para të vazhdojmë kështu si jemi, e dyta, të shohim mundësinë e bashkimit me Rithemelimin, që duhet të jetë vendim grupi, e treta të konsolidohemi si grup dhe të kemi veprim të qartë. Nuk është normal edhe etiketimi për kolegët, ata që kanë dalë nga Rithemelimi përfaqësojnë demokratët dhe këta përballë s’përfaqësojnë asgjë. Kjo s’është normale. Nuk ka qenë qëllimi t’i tregojmë forcën Berishës. Qëllimi është të jemi në terren. I kam kërkuar Bashës të jemi në terren, edhe deputetëve, shkëputja lë fushë të lirë edhe për mazhorancën. Ne nuk vendosim kushte për Berishën”,–tha në “Mcn Tv”.
Gështenja tha se nuk ka kushte për Berishën, ndërsa u shpreh se nuk ka pasur ftesë për Bashën, që të ishte i pranishëm në takim. I pyetur nëse ky grup mund të shkojë përtej Berishës dhe Alibeajt, Gështenja u përgjigj “t’ia lëmë kohës”. Deputeti tha se protestat e nisura nga Berisha s’ishin pjesë e diskutimit, teksa e konsideroi problem faktin që po bëhet një opozitë e ndarë.