Gazetari Mentor Kikia ka komentuar mbrëmjen e sotme në një emision televiziv rikthimin e ish-presidentit Meta në politikën aktuale, ku tha se nuk sheh asnjë risi në skenën politike shqiptare me rithemelimin nga Ilir Meta të partisë së tij.
Kikia hoqi një paralele me ndërrimin e emrit të Partisë së Punës, në Parti Socialiste.
Ka pamundësi për të mbushur alternativa politike. Në këto kushte, vakumi mbushet me parti që ndërrojnë emrin. Një parti me një emër dhe të shkuar të gërryer nga një imazh aspak të mirë. Ndërron emrin dhe logon dhe nxirret në treg si një parti e re, te e cila duhet të varin shqiptarët xhaketën e shpresës. Një parti që është ende në përpjekje për të caktuar pozicionin e saj politik. Zoti Meta ka luajtur fort me shqiponjën, me Kushtetutën. Edhe Partia e Punës hyri në Pallatin e Kongreseve dhe doli që andej Parti Socialiste.
Kikia parashikon garë mes Berishës dhe Metës brenda opozitës. Sipas tij, Meta do të përpiqet të shfrytëzojë dobësitë e Berishës, pavarësisht aleancave të dikurshme dhe të qenit aktualisht në të njëjtin kamp.
Nuk është çudi që edhe zotit Berisha t’i duhet të ndërrojë emrin partisë. Në zgjedhjet e pjesshme lokale u futën bashkë me LSI-në me Polin e Lirisë. Tani lirinë e zuri Meta. Edhe pse përballë kanë Ramën, mund të ketë edhe një garë mes Metës dhe Berishës kush do të jetë i pari i opozitës. Berisha po gjuhet me gurë dhe mund të lodhet shumë shpejt. Meta mund të nxitojë të marrë flamurin e opozitarizmit. E shikoj të mundshme që me kufomën politike të Sali Berishës të fitojë kapital politik edhe Ilir Meta.