Spikeri i lajmeve në televizionin Ora News, Arnold Kariqi, ka aplikuar për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Lajmin për kandidaturën e tij e ka bërë me dije vetë Kariqi në një postim në rrjetet sociale. Ai shkruan se ka dëshirën dhe vullnetin e palëkundur që të kontribuojë me krenarinë më të madhe për këtë organizatë, sepse bën pjesë në partinë që në thelbin e saj ka vlerat themelore të konservatorizmit, të familjes tradicionale Shqiptare, dinjitetin njerëzor, humanizimin e solidaritetin shoqëror dhe frymën e tolerancës e të bashkëjetesës fetare.
Kariqi ka qenë dhe kreu i FRPD-së së Kavajës, ndërsa tashmë shtë spiker lajmesh tek televizioni Ora News.
Postimi i plotë:
Të dashur miq dhe dashamirës!
Kontributi im familjar në Partinë Demokratike ka nisur që prej vitit 1990 e i trashëguar ndër breza, me bindjen e plotë se ajo është dhe mbetet e vetmja parti që përfaqëson interesin tonë kombëtar, ndërtimin e shtetit të së drejtës, garantimin e lirive themelore, dinjitetin dhe personalitetin njerëzor, si dhe prosperitetin e të gjithë kombit!
Në rrugëtimin tim shumëvjeçar në PD, me krenari dhe vendosmëri i kam shërbyer bindjes sime si një qytetar i lirë që beson se vendi i tij, një ditë do të jetë shumë më i mirë se ky i sotmi!
Që në fëmijëri, kur as të drejtë vote nuk kisha, angazhimi im ka qenë i palodhur e palëkundur fushatë pas fushate, qoftë ajo fituese apo humbëse!
Që nga mbështetës pa kushte, anëtari i thjeshtë e deri tek anëtar i seksionit e grupseksionit, sekretar e kryetar i saj, anëtar i kryesisë së PD e sekretar i FRPD dhe kryetar i saj në Kavajë, e së fundmi anëtar i Këshillit Kombëtar.
Sot, kam vendosur që me shpirt dhe sinqeritet, të jap një tjetër kontribut për demokratët dhe vendin tonë, duke shpallur kandidaturën time për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë!
Unë si një i ri plot energji dhe besim, kam dëshirën dhe vullnetin e palëkundur që të kontribuoj me krenarinë më të madhe për këtë organizatë, sepse bën pjesë në partinë që në thelbin e saj ka vlerat themelore të konservatorizmit, të familjes tradicionale Shqiptare, dinjitetin njerëzor, humanizimin e solidaritetin shoqëror dhe frymën e tolerancës e të bashkëjetesës fetare!
Partia Demokratike mbetet aseti më i çmuar i Shqipërisë në këto 32 vite demokraci.
Të mos dorëzohemi dhe të mos reshtim së punuari për ta shndërruar atë, në alternativën e shpëtimit të vendit dhe rikthimit të shpresës së Shqiptarëve!
Së bashku, për Shqipërinë
