Lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me tensionet në Veri të Kosovës, që kanë nisur për reciproritetin e targave dhe mjeteve të identifikimit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se reciprociteti është e drejtë e çdo shteti dhe se dy palët duhet të shmangin provokimet.
“Mbështet plotësisht vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin dhe dënoj me forcë çdo sulm ndaj Policisë dhe forcave të sigurisë në ushtrimin e misionit dhe detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese. Bëj thirrje për shmangien e çdo provokimi dhe përshkallëzimi të tensioneve, që minojnë sigurinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se vendosja e reciprocitetit është e drejtë e çdo shteti sovran,”-shkruan Meta.
Tensionet kanë nisur pasi që nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës). Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia. Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh. Por nuk pranon të kundërtën.