Noizy është një nga emrat më të dashur nga publiku. Përpos muzikës, ai është përplasur disa herë fizikisht me reperë të ndryshëm, dhe rasti më i fundit është sherri i bujshëm me Cllevion, emri i vërtetë i të cilit është Klevio Ahmeti. Por së fundmi Noizy ka deklaruar se pikërisht përplasjet fizike me kolegët e tij janë diçka që ai do të donte ta fshinte nga biografia.
“Zënkat 100% sidomos ato fizike. S’ka problem ato me këngë janë ok, le të rrinë disset sepse është në atyrën e reperit ta thotë troç. Por të paktën zënkat fizike mos të ishin bërë. Sidomos kur e mendoj tani nuk do doja ta kisha në biografinë time”,-tha Noizy teksa ishte i ftuar në “Një Kafe me Labin”.
I pyetur se kush është reperi më i mirë shqiptar për të, Noizy tha se në vendin tonë ka artistë shumë të talentuar dhe të suksesshëm. Si emër ai preferoi të mos thotë një emër reperi, por atë të këngëtares me famë botërore Dua Lipa, të cilën e mori si shembullin e suksesit të një shqiptari në botë.
“Duhet të mendoj për këtë pak. E kam një rrjesht me këngët e mia që jam 1-shi, 2-shi, 3-shi. Ka shumë talente në shqiptari, sa që lehtësisht mund t’i krahasosh me më të mirët e Europës, ose edhe më të mirët në botë. Jo vetëm rrepi, edhe te popi, kush është më e mira sot për sot, Dua Lipa. Është shqiptare. Ne thjesht nuk kemi fuqinë e marketingut të Amerikës ose të Sony Music”– tha Noizy.
Ai u pyet për momentet më të vështira të jetës së tij, por nuk veçoi një rast. “Momente të vështira kemi pothuajse çdo ditë por që nuk i shoh problemet si diçka që të më uli e të them… pra ta shoh si diçka kryesore gjatë ditës. Jemi njerëz kemi probleme gjithmonë, rëndësi ka se si i zgjidh”.
