Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç deklaroi se të gjithë ata që duan që Mali i Zi të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilët nuk duan që të anulohet Traktati Themeltar dhe të ndalet rruga evropiane e vendit, nuk do ta mbështesin mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Abazoviç u shpreh se sa i përket seancës së Kuvendit të 19 gushtit, “gjendja është e qartë”.
“Jam i relaksuar dhe pres 19 gushtin, qeveria i ka zbatuar të gjitha detyrimet nga marrëveshja, kanë mbetur edhe tre pika që janë në kompetencë të Parlamentit, nëse dikush do ta kthejë mekanizmin në duart e atyre që duan destabilizimin për shkak të qendrave financiare, kjo nënkupton përgjegjësi. Nëse qeveria nuk bie të hënën, do të kryhet një riformatim”, tha ai.
Kryeministri malazez tha se pjesë e rindërtimit të Qeverisë, nëse nuk bie të premten, ftohen të gjithë përveç atyre që e përjashtuan veten, duke iu referuar Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe Partisë Socialdemokrate (SDP).
Ai ftoi “të gjithë të tjerët” të marrin pjesë në rindërtim, duke theksuar partitë e pakicës, Malin e Zi Demokratik dhe Frontin Demokratik (DF). Ai u shpreh se nëse qeveria bie, “URA” shkon me gjithë zemër në opozitë.
Qeveria e Dritan Abazoviç do ta ketë të vështirë pasi firmosi marrëveshjen me Kishën Orthodhokse Serbe. Partia Demokratike e Socialistëve depozitoi këtë muaj në parlamentin e Malit të Zi kërkesën për votëbesimin e kryeministrit Dritan Abazoviç.