Ish-Presidenti Rexhep Meidani feston sot 78-vjetorin e lindjes. Ai u lind në vitin 1944. Detyra më e lartë që ka ushtruar është ajo e Presidentit të Republikës së Shqipërisë (1997–2002), në kryerjen e së cilës u shqua për ekuilibër. Në jetën profesionale si fizikan ai ka fituar të gjitha gradat shkencore dhe titujt akademikë, që nga doktorata tek titujt “profesor” dhe “akademik”.
Meidani kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1966). U emërua pedagog në katedrën e fizikës në Universitetin e Tiranës (1966). Kreu studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin “Paris XI”, ku mbrojti dhe doktoratën e ciklit të tretë në fizikën e trupave të ngurtë (1973-1976), ndërsa në Shqipëri përgatiti dhe një doktoraturë të dytë për gradën “doktor”. Vijoi veprimtarinë mësimore e kërkimore në Universitetin e Tranës.
Si pedagog, përgjegjës katedre (1986-1990, 1992-1996) dhe dekan i Fakultetit të Shencave Natyrore (1988-1992), ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e procesit mësimor e të veprimtarisë shkencore, sidomos në fushën e fizikës teorike (mekanikës kuantike, fizikës statike, fizikës së trupit të ngurtë etj.).
Meidani ka shkruar njё numër artikujsh shkencorё, tekste si dhe monografi tё fushёs, tё botuara brenda dhe jashtё vendit si: “Mbi lëvizjen fizike” (1985), “Të vërtetat dhe të fshehtat e entropisë” (2006), “A është deterministe teoria kuantike? – debat filozofiko-shkencor” (2007), “Mbi hapësirë-kohën” (2008), “Ndikime filozofike të paradigmës ajnshtajniane” (2015), “Mbi ndërtimin e botës”, (2016), “Entropia: rregulli e kaosi, informacioni e evolucioni” (2017); “Bazat teoriko-konceptuale të fizikës” (1997), “Fizika statike dhe termodinamika I, II” (1985) etj.
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, Rexhep Meidani u aktivizua në jetën politike e shoqërore dhe dha ndihmesë në proceset demokratike që nisën në vend. Në dhjetor 1990 u emërua kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve të para pluraliste. Në votimet e qershorit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në korrik 1997 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, mandat të cilin e mbajti deri në vitin 2002. Gjatë viteve 1986-1990 ka qenë anëtar i Komitetit për Mirëkuptimin Ballkanik dhe në vitet 1994-1996, kryetar i Bordit të Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut, kryetar i bordit të IKF.
