Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka dalë me një reagim në rrjetet sociale, ku ndalet te largimi i mbi 5 mijë shqiptareve vetëm gjatë 8 muajve të vitit 2022 për në Britaninë e Madhe me gomone. Sula shprehet se vendi po rrudhet çdo ditë, dhe qeveria nuk shfaq asnjë shqetësim.
Postimi i Dashnor Sulës:
Nuk ka ditë që në mediat e huaja dhe ato shqiptare të mos ketë lajme lidhur me numrin e atyre që lënë vendin për një jetë më të mirë në Europë, por edhe përtej kontinentit.
Shifrat e fundit, të frikshme natyrisht, vijnë nga Anglia ku ministria e Mbrojtjes së këtij vendi ka raportuar se vetëm këtë vit mbi 5 mijë shqiptarë kanë rrezikuar jetën duke marrë gomonen për të kaluar kanalin e La Manshit që lidh Francën e Britaninë e Madhe. Akoma më e rëndë bëhet situata, kur autoritetet britanike raportojnë se vetëm të mërkurën e kaluar më shumë se gjysma e 600 personave që morën gomonet për në Ishull, ishin nga Shqipëria.
Vendi ynë po rrudhet çdo ditë e më shumë dhe për këtë qeveria duket se nuk është aspak e shqetësuar. Me logjikën e kryeministrit “përzëmë shqiptarët dhe sjellim bangladeshasit” qeveria po ua bën çdo ditë e më të vështirë jetën qytetarëve të saj, saqë i detyron ata, njësoj si në 1997, të marrin gomonet dhe të rrezikojnë jetën për të parë një të ardhme të bardhë për fëmijët e tyre.
Ndryshe, nuk kishte si të kuptohet kjo “heshtje” e Qeverisë përballë këtyre shifrave që bëjnë të ulërasë i madh i dhe i vogël:
Në 10 vitet e fundit 600 mijë persona të larguar nga Shqipëria.
Nga Janari deri në Maj 2022 kishte 3850 kërkesa për azil, me një rritje 100% në krahasim me 2021.
77% e atyre që kanë aplikuar për azil në 2021 e kishin për herë të parë, çka do të thotë se sot, askush nuk po e mendon me dy herë, por të ikë sa më shpejt nga sytë këmbët.
Edi Rama dhe shpura e tij e mbulojnë këtë dështim 9 vjeçar me propagandën e Tiranës, a thua se vetëm në Tiranë ka jetë e jetohet. Mjafton të shkoni jo më shumë se gjysmë ore larg Tiranës për të parë se fshatrat po shuhen një e nga një, qytetet po boshatisen e nuk do të jetë e largët dita, kur nëpër to, do të ketë vetëm pensionstë, pasi të tjerët do na kenë lënë shëndenë.
Të vetmit që nuk do largohen do jenë kryeministri me ministrat e tij, të cilët çdo ditë mendojnë vetëm të siguruar ekonomikisht fëmijët e tyre e nuk u bën përshtypje hic që familja shqiptare po shkatërrohet, që njerëz të kualifikuar, të aftë profesionalisht po lënë vendin pa e menduar dy herë dhe që Shqipëria brenda një kohe të shkurtër do të kthehet në një “azil të madh”, që sytë i ka nga emigracioni.
