Në mbledhjen e kësaj të mërkure të qeverisë, kryeministri Albin Kurti tregoi për çfarë bisedoi me Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Kurti fillimisht foli për agjendën e takimit, e po ashtu deklaroi se në takimin në Bruksel ishte si kryeministër e jo si polic apo si doganier.
“Sipas agjendës së komunikuar paraprakisht, takimi trilateral i mbajtur në formatin 1+0 do të trajtonte vetëm dy tema: diskutimet për elementet e marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale”, tha Kurti.
Po ashtu kryeministri tha se fillimisht e ka elaboruar “këndvështrimin e palës sonë për kornizën e përgjithshme dhe elementet që duhet t’i përfshinte marrëveshja finale”, në formën e 6 kapitujve.
Kurti tha se Kosova ofroi trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe garancionet përkatëse si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi.