Një 31-vjeçar shqiptar është shpallur në kërkim nga policia në Britaninë e Madhe pasi akuzohet për lidhje me veprat penale të emigrimit të paligjshëm të emigrantëve drejt ishullit.
Sipas mediave vendase, oficerët e njësisë Rajonale të Krimit të Organizuar Juglindor (SEROCU) po bëjnë apel për informacion në lidhje me vendndodhjen e Terenc Malja.
Malja, i cili ka lidhje me njerëz në Isle of Wight, Londrën Veriore, Birmingham, Coventry dhe zonën e Edinburgut të Skocisë, është akuzuar për trafikim të emigrantëve të paligjshëm.
Mbi Maljan rëndon tashmë një urdhër arresti, ndërsa në njoftim specifikohen tiparet e tij, në mënyrë që kushdo prej publikut që e konstaton në rrugë të njftojë autoritetet.
“Malja është i bardhë, 1.47 cm i gjatë, ka flokë të zinj të shkurtër dhe sytë blu. Ai flet anglisht me theks shqiptar dhe ndonjëherë përdor emra të tjerë. Ai u pa për herë të fundit në Portsmouth në janar 2021 dhe oficerët kanë punuar prej asaj kohe për ta gjetur atë”, thuhet në njoftimin e SEROCU.
