Rikthimi i gjuhës së luftës dhe tensionet nga ana e serbëve, kanë shqetësuar ndërkombëtarët. Por Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, del kundër deklaratës së misionit të NATO-s në Kosovë, se nuk do të lejojë ngritjen e barrikadave në veri.
Vuçiç tha se misioni po tregohej i njëanëshem dhe tha se gjatë dy ditëve të ardhshme do t’i dërgonte një letër, për të kundërshtuar qëndrimin lidhur me tensionet për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve.
“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, tha Vuçiç.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári tha për televizionin publik të Kosovës më 23 gusht se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare nuk do të lejojnë më vendosjen e barrikadave.
