Në kuadër të procedimit 122 të vitit 2022, në bazë të kallëzimit të ish deputetit Halit Valteri për çështjen e lobimit me para të padeklaruara në SHBA, SPAK ka marrë nën hetim Ilir Metën për dy akuza penale, për të cilat parashikohet deri në 15 vite burg.
Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg.
Në kallëzimin penal thuhet se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash etj, thotë Report tv.
Si fakte, në kallëzim thuhet se Ilir Meta dhe LSI-ja kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji.
