Çfarë do të ndodhë me Kosovën? Çfarë plani ka presidenti serb Aleksandër Vuçiç kur më 1 shtator futet në fuqi çështja e targave? “Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të arrijmë të paktën një pjesë të vogël të një zgjidhjeje kompromisi”,-tha Vuçiç pas bisedimeve me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përmes një video-mesazh të publikuar në Instagram, Vuçiç thekson se bisedimet do të vijojnë, me shpresën për të arritur një zgjidhje kompromisi, duke shtuar se pjesa e dytë e bisedimeve përfundoi 15 minuta pas mesnate.
Si zakonisht, ai s’ka mundur t’i shmangë tonet dramatike, as në postimin në Instagram ku ka shkruar “Lufta po vazhdon e unë po shtirem se nuk jam lodhur”.
“Besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se sa i përket tavolinave dhe disa çështjeve më të mëdha, një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet”, tha Vuçiç.
