Deputeti Halit Valteri, i cili kallëzoi në SPAK ish-presidentin Ilir Meta, u shpreh se ky i fundit kishte fshehur miliona euro në shtëpinë e Luan Pobratit në vitin 2011, të cilat i rimori më pas.
Për këtë deklaratë ka ardhur një reagim nga djali i Luan Pobratit, Klevi Probati, i cili mohon që kjo të jetë e vërtetë.
“Një ditë më parë në media dhe në disa portale është cituar një status i ish-deputit Halit Valteri. Sipas tij i ndjeri babai im, Luan Pobrati ka strehuar në një dhomë të madhe të shtëpisë sonë miliona euro të Ilir Metës.
Kjo paska ndodhur në vitin 2011 kur ne banonim në Rrugën e Kavajës në një apartament 1+1.
Sipas versionit të ish-deputetit, unë paskam fjetur mbi euro. Mirë do të kishte qenë se ndofta do kisha parë ëndrra të çuditshme, por jo.
Nuk e njoh zotin Valteri, por njohja nuk pengon që të kemi apo jo respekt për njerëzit publik.
Unë di se prej shumë vitesh, qysh para vitit 2011 e deri sa u nda nga jeta në 5 maj të këtij viti babai im ka qenë i papunë dhe pa kontakte me politikanë të rangjeve të larta.
Kontaktet që ka pasur ishin harruar që në vitin 2005, kur zgjedhjet e përgjithshme e formatuan ndryshe qeverisjen.
Babai im Luani, dinte shumë dhe fliste pak për shkak të integritetit të tij moral dhe profesional, ndaj është mire të respektojmë ata që nuk janë më në këtë jetë”, shkruan Klevi Pobrati.
