Mediat raportojnë se Gledis Nano është larguar nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Gledis Nano ka paraqitur kërkesën e dorëheqjes së tij, e cila mësohet se është pranuar nga kryeministri Edi Rama.
Një nga emrat më të përfolur për ta zëvendësuar ishte ai i Lorenc Panganika, aktualisht drejtor i Policisë së Tiranës ose drejtori i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore Muhamet Rrumbullaku.
Ky i fundit është parë ditën e sotme në ambientet e Kryeministrisë.
Ndërkohë policia e shtetit e ka mohuar këtë lajm duke nënvizuar se Gledis Nano është në krye të detyrës.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano është në detyre dhe s’ka dhënë dorëheqjen”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit, në lidhje me lajmet se kryepolici ishte larguar nga posti që mori një vit më parë.
Para se të emërohej në krye të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, drejtonte Antiterrorin. Ai ka lindur në Shkodër, ku babai i tij nga Skrapari, ishte punonjës policie. U rrit në Tiranë por nuk i shkëputi lidhjet as me Shkodrën ku është diplomuar si jurist.
I njohur vitet e fundit si drejtori i suksesshëm i Antiterrorit, 40-vjeçari Nano u vlerësua së fundmi edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.
“Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara te vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”, shprehej ambasadorja Yuri Kim, kur i dorëzoi Nanos certifikatën.
Me një karrierë 19- vjeçare në Policinë e Shtetit, të pandërprerë që nga diplomimi në Akademinë e Policisë në vitit 2002, Nano aktualisht ka marrë gradën “Drejtues Madhor”, nga “Drejtues i Parë” që mbante deri dje.
Gledis Nano vjen nga një karrierë 19-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku 5 vitet e fundit i ka pasur në krye të Antiterrorit, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka drejtuar operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi “Al-Hol” në Siri apo edhe zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë etj.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.
Është diplomuar në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” në vitet 1999- 2002, ku pas diplomimit ka marrë titullin “Specialist i Lartë Policie”.
Në vitet 2006- 2009 është diplomuar me titullin “Jurist”, ndërsa në vitet 2009-2011 ka kryer studime pasuniversitare në fushën juridike pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
Gledis Nano u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit më 7 shkurt 2020 të vitit të kaluar. Sipas vendimit të zbardhur të KJV, Nano ka plotësuar të tria kriteret: pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Është i pajisur me certifikatë sigurie CSP, niveli “Tepër Sekret” dhe sipas informacionit që ka përcjellë Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gledis Nano nuk rezulton të ketë qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, të ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, deri në 2 korrik 1991.
