Prej ditës së sotme nis krijimi i historikut për drejtuesit e mjeteve. Ndryshe njihet dhe si skema universale e sistemit “Bonus-Malus” në sigurimin e detyrueshëm motorik.
Ndërhyrjet ligjore u bënë për të ndërtuar një skemë të re të mekanizmit të tarifimit në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku primi i zbatuar është i varur nga historiku i dëmeve/eksperienca e drejtimit të automjetit nga ana e të siguruarit.
Sipas vendimit, shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të siguruarve Çertifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti.
Ky sistem penalizon ekonomikisht, me rritjen e primit (deri në dyfishimin e tij), të siguruarin përgjegjës për një ose më shumë aksidente të shkaktuara/raportuara gjatë periudhës së sigurimit. Në anën tjetër, e favorizon atë me ulje të çmimit të primit të sigurimit (deri në përgjysmim), nëse gjatë periudhës së konsideruar nuk ka shkaktuar asnjë dëm.
Krijimi i këtij mekanizmi të ri ka për qëllim që të stimulojë shoferët e ndërgjegjshëm dhe do të penalizojë shoferët me një historik të keq.
Sistemi “Bonus-Malus” ka dhënë efekte pozitive në të gjitha vendet ku është zbatuar duke ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.