Sonte në sheshin “Skënderbej” gjithçka është gati për koncertin ku do të këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora. Këngëtarja e cila u dekorua edhe nga Presidenti Bajram Begaj me titullin e lartë “Naim Frashëri”, për kontributin e dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit, u prit edhe ftuesi i saj kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili falënderoi Rita Orën për shembullin pozitiv që u jep të rinjve dhe të rejave shqiptare.
Rita Ora shprehu krenarinë për origjinën e saj dhe siguroi se nuk do të ndalet së promovuari atë. “Nuk ka rëndësi nga vjen, kush je, je burrë apo grua, ndjesia është e tillë që, nëse ti je krenar për prejardhjen, ajo që mund të bësh është ta bësh të njohur vendlindjen tënde. E kam besuar gjithmonë këtë dhe prindërit e mi ma kanë thënë çdo herë. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë derisa të jem gjallë”.
Nisur nga ngjarja e fundit në Kosovë, e dhunimit të një vajze 11-vjeçare, koncerti i Rita Orës sonte do të përcjellë një mesazh sensibilizues për shoqërinë shqiptare, për të respektuar më shumë gratë dhe vajzat.
Koncerti do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë që duan të shohin nga afër këngëtaren teksa performon. Për të hapur koncertin, në skene do të ngjiten edhe emra të njohur të muzikës shqiptare si Ronela Hajati dhe Kida. Koncerti do të startojë në orën 20:00, ndërsa mbledhja e qytetarëve do të nisë më herët.
