Sonte në orën 20:00 do të mbahet konceri falas i artistes shqiptare me famë botërore, Rita Ora në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ndaj në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe në krahun e ambasadorit të Anglisë në Tiranë, u mbajt një konferencë shtypi.
Rita Ora u përlot teksa preku rastin e përdhunimit të 11-vjeçares në Kosovë. Ajo kërkoi ndjesë si dhe tha se fëmijët duhet të jenë të lirë kudo që janë. Po ashtu, këngëtarja me origjinë shqiptare dha një mesazh për të gjithë të rinjtë që të kenë besim te vetja pasi ëndrrat që kanë mund të bëhen realitet.
“Më falni për shqipen time, dua të them se është një privilegj që të performoj dhe është një punë e mrekullueshme që këta njerëz kanë bërë. Dua të përgëzoj, kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Dua të nënvizoj rëndësinë e të qënit këtu dhe të festuarit. Dua të them se të flasim për rininë nuk është diçka që e marrim për të mirëqënë, dua të theksoj rëndësinë që ato kanë. Dua të theksoj të gjitha talentet që kanë dalë në fushën time dhe të them se ëndrrat bëhen realitet. Më falni, se jam emocionale për atë që ndodhi në Kosovë. Duhet që të mbrohen gratë dhe vajzat. Ajo na bëri të kujtojmë se sa e rëndësishme është të kemi në fokus këto çështje sociale dhe sa e rëndësishme është për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me të rinjtë që këto ngjarje të mos përsëriten dhe të përmirësohet situata'”.
Rasti i 11-vjeçares, e cila u përdhunua nga 5 meshkuj për disa orë me radhë, solli protesta në Prishtinë e në Tiranë, ndërsa nxiti reagim të madh edhe nga personazhe të njohur shqiptarë.
Ndërkohë sa i takon pjesëmarrjes vetëm të vajzave dhe grave në koncert, Ora tha se kjo është bërë për të treguar forcën dhe bashkëpunimin. “Mesazhi është më i madh se vetë koncerti, prezanton shoqërinë tonë, prezanton traditat dhe për mua të pasurit një linjë vetëm me vajza dhe gra është me të vërtetë ‘nona’”, u shpreh këngëtarja.
Mes të tjerash ajo u pyet nga mediat nëse do të bashkëpunonte me artistet e tjera shqiptare të njohura në botë si Dua Lipa, Bebe Rexha apo Ava Max. Ajo tha se ndihet shumë e lumtur që të tjera artiste shqiptare po shkëlqejnë në botë duke lartësuar emrin e Shqipërisë dhe u shpreh besimplotë për një bashkëpunim kur të krijohet mundësia.
“Kur nisa në këtë industri 2011-2012 e ndieja si një lloj detyrimi apo barre dëshirën për ta bërë Shqipërinë të njohur në hartë. tani ndihem shumë e çliruar që kam artiste të tjera në fushën time që po lartësojnë emrin e Shqipërisë në botë. Për shkak të angazhimeve të shumta nuk ka ndodhur deri tani por kam shpresë se do të ndodhë shumë shpejt”, tha këngëtarja.
