Partia Demokratike ka denoncuar rikthimin e Ardi Veliut në radhët e Policisë së Shtetit, duke e akuzuar atë si “mashë” të Rilindjes, të lidhur me krimin, të korruptuar etj.
Përmes një konference nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i demokratëve, Flamur Noka, ka nënvizuar: “Rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të Policisë në vendin e krimit, është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar që kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve.
Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore. Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore.
Siç thotë populli: i varin ujkut mëlçitë në qafë. Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore. Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit.
Ardi Veliu, mbi të gjitha, do të kujtohet për korruptimin strukturor të Policisë së Shtetit. Me korruptim strukturor duhet të kuptojmë politizimin deri në palcë, duke e kthyer armën e Policisë në pisqollë të Rilindjes.
Gjithashtu, Veliu është kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje. Me këto dy rekorde të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer jo për ta mbikëqyrur Policinë, por për t’u siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces”, thuhet në njoftimin e PD-së.
