Opozita do të thërrasë në seancë dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, lidhur me situatën e kriminalitetit në vend, si edhe ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Vendimi u bë i ditur nga deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj, në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ku e cilësoi situatën e kriminalitetit në vend si mjaft shqetësuese.
“Gledis Nano u shkarkua për arsyen e cuditshme për mosrealizim objektivash por askush nuk e di në këtë vend se cfarë ishin objektivat. Dhe po atë ditë pamë një deklaratë të ambasadores Kim, që thoshte se Gledis Nano ishte dhe mbetet një partner shumë i fortë i SHBA”,- u shpreh Xhaferraj.
Nga ana tjetër, vetë Gledis Nano nuk do të jetë i qetë për një kohë. Pasi prezantoi Muhamet Rrumbullakun si drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u pyet edhe për deklaratën e Gledis Nanos, i cili tha se 14 kriminelë u arratisën nga dekonspirimi i operacioneve policore.
Çuçi tha se Nano do të hetohet për këtë deklaratë. “Padiskutim që është shqetësuese, por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit për të pastruar radhët e Policisë nga këta elementë. Po nuk e ka ditur ai kur ishte në detyrë, vështirë se do ta dijë ministri. Është në hapësirën e informacionit që ka ai. Do e hetojmë, do përfshihet edhe ai që ka bërë këtë deklaratë për të zbardhur të vërtetën”,-tha Çuçi.
Gledis Nano i cili është në qendër të politikës, në një intervistë në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, edhe pse tashmë si ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka folur për punën e tij.
Nano ka thënë ndër të tjera se gjatë kohës që ushtronte detyrën (10 muaj), janë arratisur 14 kriminelë të rrezikshëm, kjo pasi janë dekonspiruar operacionet e policisë për kapjen e tyre. “Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë Nano për televizionin francez, duke shtuar se është e paqartë nga ka rrjedhur informacioni.