Qeveria Federale e Gjermanisë po punon për një ligj të ri që do t’u mundësojë punëtorëve të huaj të kualifikuar në këtë vend të fitojnë nënshtetësinë pas vetëm tre vjetësh që kanë jetuar dhe punuar aty.
Të mërkurën, qeveria federale prezantoi draftin e strategjisë së saj të re gjatë samitit të punëtorëve të kualifikuar në Berlin, në të cilin përfaqësues nga politika, biznesi dhe shoqatat diskutuan mënyra dhe masa të reja për të luftuar mungesën në rritje të punëtorëve të kualifikuar.
Ministri Federal i Punës, Hubertus Heil, tha se për shumë kompani kërkimi i punëtorëve të kualifikuar tashmë është një çështje ekzistenciale. “Vendi ynë ka nevojë për punëtorë të kualifikuar”- u shpreh ministri.
Ministri Federal për Çështjet Ekonomike dhe Mbrojtjen e Klimës, Robert Habeck, vuri në dukje gjithashtu nevojën urgjente për punëtorë më të kualifikuar për vendin, si nga Gjermania dhe BE, ashtu edhe nga vendet e treta. “Ne duhet ta bëjmë arsimin dhe trajnimin më tërheqës dhe duhet të hapemi shumë më tepër ndaj emigracionit dhe të promovojmë së bashku se Gjermania është një vend me punë interesante dhe me cilësi të lartë”.