Qeveria do të ngrejë një strategji kombëtare për gjuhën shqipe, të cilën në kushtet aktuale e konsideron më të rrezikuar se kurrë.
Propozimi i parë që pritet të hidhet në diskutim është ai për të bërë provime sipas niveleve për gjuhën shqipe, siç ndodh aktualisht me gjuhët e huaja, dhe ky provim me nivele të jetë kriter për punësimin në administratën publike, ku evidentohen edhe problemet më të mëdha të gjuhës shqipe, sidomos në dokumentet zyrtare.
Ministrja e Arsimit ngre nevojën që gjuha shqipe të përfshihet edhe në programet universitare në Bachelor, apo edhe në ato të mësuesisë.
Ndër të tjera, ministrja propozon që gjuha shqipe në gjimnaze të bëhet 3 orë në javë, nga 2 që është aktualisht dhe që në provimet e maturës gjuha shqipe të jetë në një test të veçantë e shkëputur nga letërsia.
Një hap më i shpejtë, sipas Kushit, mund të jetë një program trajnimi kombëtar për të gjithë mësuesit e profileve të ndryshme në lidhje me zhvillimin e kompetencës gjuhësore sipas grupmoshave të nxënësve.
