Nga inceneratori i Tiranës, aty ku po mbahet protesta e thirrur nga Partia e Lirisë, aktori Edmond Budina bëri thirrje që tubimet të mos ndalen kundër “mafies në pushtet”.
“Mafia bën ligjin në këtë vend. Kjo është fatkeqësia më e madhe e këtij vendi që nuk i ka ndodhur asnjëherë. Bandat bëjnë ligjin. Fakti, ja ku është krimi, inceneratori i Tiranës që nuk ekziston. Paratë tuaja të vjedhura. Ja ku është skena tjetër e krimit, Teatri Kombëtar. E shembën në mënyrë të jashtëligjshme me njerëz brenda, mafia nuk pyet për jetën e njerëzve, këta janë kriminelë, mafia është gati të vrasë, siç vrau dhe Ardit Gjoklajn për interesat e veta. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë. Çdo protestë duhet të ketë rezultat. Jo më protesta për të shtuar radhën. Kemi protestuar 2 vjet në Teatrin Kombëtar në mënyrën më paqësore të mundshme. Përgjigjja e shtetit ishte dhuna, deshi të na vriste. Nuk ju intereson teatri, por trualli për të ndërtuar kulla dhe për të pastruar paratë e pista të krimit”, u shpreh Budina.