Kapiteni legjendar i Romës, Francesco Totti ka thyer heshtjen sa i përket ndarjes nga prezantuesja e njohur, Ilary Blas, dhe tregoi versionin e tij të historisë, duke zbuluar shkaqet që i dhanë fund martesës së tyre.
Në një rrëfim për “Corriere della Sera”, Totti rrëfeu: “Nuk isha unë i pari që tradhtoi. Me Noemi-n jemi shoqëruar fillimisht si miq, por pas Vitit të Ri njohja jonë u konsolidua dhe mori përmasat e një lidhjeje serioze. Me Ilary-n kishim ulje-ngritje, si çdo çift. Më pas diçka u prish. Kriza e vërtetë shpërtheu mes marsit dhe prillit të vitit të kaluar. Por unë kisha kohë që vuaja”.
Ai foli edhe për videot që tregonin familjen e mbledhur bashkë në restorant, me qëllim për të mohuar zërat për një ndarje të mundshme: “Ne u përpoqëm disi, por jo deri në fund. Askush nuk donte të provonte diçka më shumë. Le të themi se nuk ishte një përpjekje e madhe. Në shtator të vitit të kaluar filluan të vinin fjalët ‘Shiko se Ilary ka një tjetër’. Madje, më shumë se një. Mua më dukej e pamundur. Përkundrazi gjeta mesazhet. Nuk kisha kontrolluar kurrë, në njëzet vjet telefonin e saj dhe as ajo nuk e kishte bërë ndonjëherë me mua. Por kur mora paralajmërime nga njerëz të ndryshëm, të cilëve u besoj, dyshova. I pashë celularin. E pashë që ishte një person i tretë, i cili vepronte si ndërmjetës mes Ilary-t dhe një tjetri.”