Pas sistemit TIMS dhe faqes së Policisë së Shtetit, janë hakeruar dhe e-mailet zyrtare të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Burime për tirananews.al bëjnë me dije se komisionerëve u është hakeruar posta elektronike dhe këta të fundit kanë humbur të gjithë të dhënat që kanë pasur.
Kjo ka bërë që të rrezikohet edhe procesi i vettingut pasi tashmë anëtarët e KPK-së nuk kanë asnjë të dhënë në e-mailet e tyre. Këta të fundit janë detyruar që t’u kërkojnë sërish subjekteve të rivlerësimit edhe njëherë përgjigjet në lidhje me formularët e deklarimit duke sjellë në këtë mënyrë zgjatje të këtij procesi.
Prej kohësh institucionet zyrtare në Shqipëri janë vendosur nën sulm kibernetik, të cilat janë shtuar së tepërmi pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Pas sulmit kibernetik, që paralizoi gjithë shtetin shqiptar, në rrjet qarkullon një website me emrin “HomelandJustice.ru” “Drejtësi për Atdheun”.
Nuk dihet nëse ky grupim mund të ketë lidhje me hakerat, të cilët sulmuan me agresivitet serverat e platformës qeveritare e-Albania dhe institucioneve të tjera për ditë me radhe, por në të ka sulm ndaj AKSH-it, si dhe bëhen thirrje kundër disidenteve iranianë, të cilët janë strehuar në Manëz të Durrësit, dhe përbëhet nga një komunitet prej 3000 personash.
Websiti është ndarë në disa kategori, ku bie në sy publikimi i disa materialeve te rëndësishme te institucioneve shqiptare.
Dokumentet kanë të bëjnë me emërime punonjësish në administratë, shkresa nga AKSHI dhe Ministria e Infrastrukturës, kërkesë për të vizituar kompaninë prodhuese turke të dronëve të famshëm “Bayraktar”, si dhe ka foto pasaportash të shtetasve të huaj, certifikata vaksinimi etj.
Në këtë video, hakerat vërtetojnë se kanë akses të plotë tek adresat zyrtare, si tek skema e Pensioneve, projektet e Këshillit të Ministrave, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme, DPA, Avokati i Popullit, gjykatat, KQZ, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve te Transportit Rrugor, etj.
Nga ana tjetër, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, i planifikuar për t’u mbajtur në datat 23 dhe 24 korrik në kampin “Ashraf 3”, në Manzë, u shty nga organizatorët për arsye sigurie, që lidhen kërcënime e komplote ndaj muxhahedinëve, deri në një njoftim të mëtejshëm. Edhe ambasada amerikanë pati ngritur alarmin se kishte sinjale të qarta për sulmet gjatë këtij samiti.
Në samitin e përvitshëm, ishin ftuar kongresmenë e senatorë amerikanë, ish-gjeneralë dhe këshilltarë të presidentëve amerikanë, si dhe mbi 9 ish-kryeministra dhe Presidentë nga Perëndimi.
