Kryeministri Edi Rama ka vijuar këtë mesditë turin “Bashkia që Duam” në qytetin e Librazhdit, ku foli për investimet në zonë, e sigurisht edhe për opozitën.
Por teksa ka nisur të flasë për këtë të fundit, fjalën ia ka ndërprerë zëri i Hoxhës në xhaminë e qytetit. Për Ramën është një mesazh që nuk duhet të flasë për opozitën, por megjithatë ai nuk ndali me akuzat ndaj kundërshtarëve.
“Ata që sot përpiqen që humbjen e tyre ta shohin si fajin tonë dhe më e bukura është kur mendojnë se kanë gjetur rrugën për ta bindur këtë popull duke e bërë për budalla, duke i thënë që…pushim (këndon hoxha). Mbase kjo ndërprerje ishte për të thënë që të themi ndonjë gjë më interesante se për opozitën. Sidoqoftë disa fjalë duhen thënë, se është për të vënë duart në kokë… Të rrokasin kokën natë për natë”, tha Rama.
Opozita tha ai akuzon maxhorancën për ato që ka bërë vetë, pasi sipas Ramës, PD nxirrte kriminelët për të kërcënuar njëerëzit. “Nuk ka më tryezë për të negociuar mandatin që na dha populli. Populli nuk na dha mandatin për të parë filxhan me Monikën”, tha Rama teksa shtoi se sot Parlamenti është më normal pasi nuk vijnë deputetë me bojë e vezë.
