Zjarret bëjne kërdinë në rrethet Dibër, Mat e Bulqizë. Vetëm tri ditët e fundit disa vatra zjarri kanë dëmtuar rëndë pyjet në Kangrazhd dhe në afërsi të Perlatit, Mirditë.
Specialistët japin alarmin për situatën e krijuar. Riza Buci, një specialist i njohur në sektorin e pyjeve në rrethin e Matit thotë se edhe më parë ka patur zjarre në pyje dhe situata është normalizuar në kohë rekord.
“Vetëm në zonën e Kangrazhdit, njësia administrative Komsi, janë djegur mbi 100 hektarë me pyje. Bashkia e Burrelit ka mbi 450 punonjës, që paguhen nga buxheti i shtetit dhe taksat lokale dhe normalisht 50 punonjës duhet të ishin angazhuar për shuarjen e zjarreve”, nënvizoi Buci.
Ai shprehet se mungojnë masat organizative, mungon sensibilizimi i opinionit publik, mungojnë mjetet për shuarjen e zjarreve, mungon angazhimi i specialistëve me përvojë në fushën e pyjeve. Për specialistin zjarret nuk fiken me lopata e me kova uji.
Riza Buci shton se Prokuroria, Policia, Bashkia, zyrtarët vendorë, të angazhohen fort për të shpëtuar këtë pasuri të madhe. Ai thotë se pushteti lokal duhet të marrë masa urgjente për sigurimin e cantave me ujë, motorsharra, gjeneratorë, eskavator të vegjël për hapjen e kanaleve, etj. Buci përfundon duke kërkuar nga Kuvendi, Kryeministria dhe strukturat e tjera të forcojnë masat ligjore për shpëtimin e kësaj pasurie kombëtare. / tirananews.al