30-vjeçari shqiptar Esmin Ferhati u arrestua në Greqi, teksa sulmoi me kaçavidë një oficere greke dhe u plagos me armën e shërbimit nga kjo e fundit në tentativën për t’u vetëmbrojtur. I njohur me pseudonimin “Esko”, shqiptari kishte “pushtuar” godinën e vjetër të konviktit të Universitetit Politeknik të Athinës “Zografou” dhe terrorizonin Athinën me grabitje, rrëmbime, ndërsa kontrollonin edhe një pjesë të tregut të narkotikëve.
“Esko” dhe banda e tij vepronin të qetë në Athinë për shkak edhe të lidhjeve me policinë greke, ndërsa lëvizte i lirë dhe s’kishte shkuar kurrë në burg pavarësisht se akuzohet për 5 çështje penale, ku përfshihet edhe rrëmbimi i djalit të një gazetari në maj të 2019-ës.
Hetuesit e çështjes po ndjekin me interes të madh rastin e përfshirjes së një oficere policie vetëm 22-vjeçe, e cila shërben në një departament lokal dhe që dyshohet se ka pasur një rol specifik në organizatën kriminale me mbi 10 anëtarë të krijuar nga “Esko”.
E reja kishte krijuar një lidhje dashurie me nënkryetarin shqiptar të bandës, të cilin e njihte para se të bëhej pjesë e uniformave blu të Athinës. 22-vjeçarja dyshohet se ka dhënë informacion për lëvizjet e kolegëve të saj dhe numrin e forcave të policisë që shkonin në aksione për të goditur bandën e shqiptarëve.
