Kryeministri Edi Rama thotë se pas dërgimit të satelitëve në hapësirë, do të marrim edhe dronë të armatosur. “Satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët, që me zhvillimet e reja kemi vendosur t’i marrim të armatosur. Janë për raste ekstreme apo të armiku potencial”.
Planin ambicioz për dërgimin e satelitëve në hapësire, Rama e deklaroi për herë të parë në tetor të vitit 2021. Sot u nënshkrua kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se kontrata ka vlerën 6 milionë dollar dhe konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, “Albania 1” dhe “Albania 2”, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë. Ai sqaroi se satelitët do të ndihmojnë në përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Satelitët do të ndihmojnë shumë fusha, si Policinë e Shtetit apo ministrinë e Bujqësisë.
