Kremlini do t’i aneksojë formalisht katër rajone të Ukrainës, ku së fundi u mbajtën të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë. Zëdhënësi Dmitry Peskov, tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të premten.
Sipas tij, do të marrin pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit e instaluar nga Moska të katër rajoneve ukrainase: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja. Zyrtarët pro-rusë të këtyre rajoneve thanë se votuesit e kanë mbështetur me shumicë votash bashkimin me Rusinë.
Referendumet e ashtuquajtura u hodhën poshtë nga Ukraina, qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara, duke thënë se ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.