Në 24 përvjetorin e shkollës së Magjistraturës, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim u ka dhënë një mesazh të rinjëve sidomos magjistrantëve të rinj, që të jenë të guximshëm.
“Ju uroj ju të diplomuar. Po mendoja çfarë bëj unë çdo mëngjes, zgjohem, dal para pasqyrës dhe përpiqem t’i kujtoj vetes pse jam këtu. Pse jam në këtë punë, pse e zgjodha këtë profesion e shpresoj që ju të bëni të njëjtën gjë. Të shiheni çdo ditë në pasqyrë e t’i thoni vetes unë do jem pjesë e arsyes pse Shqipëria është më e mirë, pse Shqipëria është në BE, t’i thoni vetes unë do jem pjesë e arsyes që populli im të ketë shpresë, që familja ime dhe fëmijët e mi do të jenë krenarë”.
Po ashtu diplomatja amerikane theksoi edhe se Shkolla e Magjistraturës duhet të miratojë ndryshime, të modernizohet, dhe të mbajë hapin me kërkesat e Reformës në Drejtësi.
“Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve për t’u përballur me ato sfida. Të gjithë duhet të përmirësohemi qofshim individë, institucione, vende, duhet të modernizohemi e përshtatemi. Ka shumë arsye për të qenë optimistë për një të ardhme më të mirë”.
