Nga dëshmia e vëllezërve Beqiraj të arrestuar dy ditë ë parë në Durrës, është zbërthyer edhe një tjetër attentat, që ishte planifikuar të kryhej ditët e ardhshme.
Mësohet se po planifikohej vrasja e dy personave, njëri i liruar pak kohë më parë nga burgu, ku vuajti dënimin për trafik të 100 kilogramëve kanabis. Sipas dëshmisë së tyre , vrasjen e tyre e kishte kërkuar punonjësi i burgjeve Flamur Bejko duke u dhënë 3500 euro paradhënie.
Vëllezërit Beqiraj tregojnë se Bejko, u ka thënë se i do të dy personat e vdekur pasi kanë pasur një konflikt në një lokal dhe ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, e për këtë arsye nuk ua falte. Vëllezërit treguan se vrasja e tyre ishte parashikuar të bëhej me eksploziv.
Polici i burgjeve, i marrë në pyetje, ka mohuar t’i ketë dhënë porosi për vrasje dhe ka treguar se paratë ua ka dhënë në formë borxhi.
Vëllezërit Beqiraj u përplasën me njerëz Aleksandër Lahos të njohur si Rrumi i Shijakut pasi këta të fundit dyshonin se vëllezërit po i gjurmonin për të krijuar kushte për vrasjen e të fortit të Shijakut. Dyshohet se gjatë të dielës ata i zunë në befasi dhe pasi i përplasën me makine morën peng për disa minuta Indrit Beqirajn.
Pengmarrja disa minutëshe e Indrit Beqirajt në Durrës gjatë të dielës pas një aksidenti automobilistik ishte çelësi që i erdhi në dorë policisë për të zbërthyer rrjetin e vrasësve me pagesë që vepronin si grup i strukturuar kriminal që prej vitit 2021. / TCH
