Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thumbur opozitën teksa njoftoi hapjen e garës për Teatrin e ri Kombëtar.
Teksa iu drejtua “rivalëve” të tij për Bashkinë e Tiranës, Veliaj tha:
“Po shikoja të gjithë ata që janë aspirantë për kandidatë për kryetarë bashkie të vitit tjetër. Ishin gia në krye të protestave sot, do i shihni pastaj edhe kandidatë, por ky është një film që e kemi parë. A ka mënyra të tjera për të bërë hajër në këtë vend, se sa duke i prishur punë një tjetri? Ftesa për të gjithë mitomanët, delirantët, aspirantët, ambiciozët, gjeni ndonjë mënyrë tjetër për t’u afirmuar, ndoshta duke bërë ndonjë punë të mirë, ndoshta duke bërë ndonjë vepër të mirë, por kjo puna të afirmohesh duke penguar atë që punon ka dalë boje dhe nuk funksionon më. Se po të ishte kështu, ky popull do votonte dhe do vinte në krye të vendit njerëzit që janë më shkatërrimtarë, më sabotues , më pengues, më përçarës”, tha Veliaj.
Duke iu referuar protestave të thirrura nga opozita, kreu i Bashkisë nënvizoi se një pjesë e atyre që drejtojnë partitë e ndryshme kanë ngelur akoma në taktikat e viteve ’90 me djegie gomash dhe bllokime. “Qartazi shoqëria jonë është civilizuar shumë më shumë se një pjesë e politikës. Qartazi shoqëria jonë është e emancipuar si shumë shoqëri evropiane dhe është mëkat që një pjesë e atyre që drejtojnë partitë e ndryshme kanë ngelur akoma në taktikat e viteve ’90. Hip mbi makina, blloko një projekt, digj goma, ul flamur, ngri gishta. Është komplet demode. Mezi e pres atë ditë ku jo vetëm të kemi mbaruar le të themi garën, por të ketë filluar dhe të mbarojë puna, ku do kemi mundësi të përqafojmë njëri-tjetrin, të majtë, të djathtë, vendalinj, jabanxhinj, ç’rëndësi ka dhe të themi: Kjo është vepra jonë, do i ngelet këtij qyteti”, theksoi Veliaj.
Kujtojmë që sot në protestën e pedagogëve ishte Ilir Alimehmeti, i cili po përflitet si kandidat i opozitës, por ende nuk ka gjë zyrtare.
