19 viktima, dhe të paktën 105 të plagosur janë nga sulmet e fundit të Rusisë në Kiev. Masiviteti i sulmeve sipas shumë analistëve shënon ndryshimin e strategjisë së Moskës, duke ndjekur linjën e fortë të personazheve si ajo e gjeneralit Sulovkin dhe liderit çeçen Kadyrov.
Këtë ndryshim e ka kuptuar edhe presidenti francez Macron, i cili dje gjatë një mbledhje emergjente të fokusuar mbi situatën në Ukrainë, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Jashtme Catherine Colonna dhe homologu i Mbrojtjes Sebastien Lecornu. “Këto sulme të planifikuara nga Rusia në të gjithë territorin ukrainas dhe kundër civilëve, përfaqëson një ndryshim të thellë në dinamikën e kësaj lufte”, ishin fjalët e tij të shqetësuara.
Presidenti francez gjatë mbledhjes në Elize deklaroi se do të ketë marrëveshje të reja për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën, por edhe vetë popullsinë. Në orën 14:00 pritet të mbahet një mbledhje emergjente e G7, ku liderët botërorë do të takohen virtualisht për të diskutuar për hapat që duhet të ndërmerren. Në mbledhje do të marrë pjesë edhe vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.