Gjykata e Apelit të Tiranës ka konfirmuar fajësinë e ish-inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi për vjedhjen e bujshme të vitit 2014 ku u morrën 713 milionë lekë në BSH.
Sipas Gjykatës, Golemi e akuzuar për shpërdorim detyre nuk ka monitoruar si duhet lëvizjet në arkën e Bankës. Por këto akuza janë hedhur poshtë nga ish-inspektorja.
“Këtë vendim është pak ta konsiderosh qesharak. Jam kurban në këtë histori dhe do të kërkoj pafajësinë”, tha vetë Golemi.
Teksa është në pritje të vendimit të shkallës së Dytë të gjykatës, Golemi thotë se tashmë do e bëjë publike mbrojtjen e saj dhe do të flaës, kjo për respekt të punës dhe asaj që ka dhënë në gjithë ato vite në Bankën e Shqipërisë.
Në maj të vitit 2015 Gjykata e Tiranës dënoi dy punonjës të Bankës së Shqipërisë të akuzuar si bashkëpunëtorë të vjedhjes së 713 milionë lekëve. Adrian Bitraj i cili pranoi se i kishte vjedhur paratë dhe tha se i kishte shpenzuar në bixhoz u dënua me 13 vite e 4 muaj heqje lire, kurse punonjësja tjetër e akuzuar si bashkëpunëtore e tij, Mimoza Bruzia u dënua me 10 vite burg.
Ndërsa ish –Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u shpall i pafajshëm nga gjykata e cila nuk u bind nga provat e servirura nga organi i akuzës dhe në një çështje civile fitoi dëmshpërblim për problemet e krijuara prej arrestimit. Procesi ndaj dy të dënuarve të sipërcituar dhe Fullanit u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa Golemi kërkoi gjykim normal dhe çështja u veçua