Mariglen Gjonaj u denoncua si i zhdukur që në vitin 2015. Këtë të martë Policia e Lezhës, thotë se është arrestuar vrasësi i tij, i cili dyshohet se është Kristjan Cenaj, 30-vjeç. Sipas bluve të Lezhës, 16-vjeçari u vra nga Kristjan Cenaj për t’i vjedhur orën “Rolex” dhe varësen e floririt.
30-vjeçari më 18 maj të vitit 2015, dyshohet se ka vrarë Mariglen Gjonajn, për ta vjedhur, pasi i ka marrë një orë dore të markës Rolex si dhe varësen e floririt, që i mituri kishte pasur me vete ditën e që ngjarjes kur edhe është zhdukur.
Eshtrat e të ndjeriut u gjetën në Fushë Kuqe në fillim të prillit, dhe sipas ekspertizës, i përkasin një personi që është keqtrajtuar para vrasjes. Specialistët shprehen se kanë vënë re dëmtime të shkaktuara te viktima me sende të forta.
Adoleshenti u zhduk në rrethana të mistershme teksa ishte në një eskursion me shokët e tij, të klasës. Ditën e zhdukjes ai kishte me vete një orë Rolex dhe një varëse floriri me vlerë 10 milion lekë.
