Ledion Krisafi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një lidhje skype në “Open” ka folur në lidhje me luftën në Ukrainë. Ai u shpreh se nuk mund të ketë bisedime paqeje mes Moskës e Kievit dhe për të këtë renditi tre arsye.
Krisafi u shpreh se negociata do të ketë vetëm në momentin që dy ushtritë të jenë në një pikë që asnjëra prej tyre nuk shënon progres.
“Në këtë moment ka pak mundësi negociimi. Së pari, ukrainasit janë në ofensive dhe lufta është në krahun e tyre. Nëse mendojnë se do të fitojnë nuk kanë përse negociojnë. Së dyti, aneksimi i rajoneve nga Rusia. Nëse dikush vjedh 20 përqind të territorit tim çka më për të biseduar? Së treti, NATO e SHBA kanë interes që Rusia të dobësohet sa më shumë të jetë e mundur e mundësisht edhe të humbë. Nuk ka nevojë për bisedime por armatime të vazhdueshme. Bisedime do kemi kur dy ushtritë do të arrijnë në një moment që nuk ecin dot më parë. Nuk është ky momenti. Lufta do të zgjidhet në Ukraina. Kam menduar që Putin nuk e nisi luftën për të pushtuar Ukrainën por për të marrë diçka në tavolinë, por u përball me Ukrainën dhe e gjeti veten në një luftë që as nuk e kishte menduar mbase dhe nuk ishte përgatitur”, tha ai.