12 tetori në Klos do të kujtohet gjithmonë për masakrën. 39-vjeçari Fiqiri Mjeshtri vrau babë e bir, dhe më pas u vetëvra. Kurse mëngjesin e sotëm janë liruar nga burgu vëllezërit e tij, Bashkim dhe Besnik Mjeshtri.
Vajza 16-vjeçare që u bë mollë sherri, deklaroi në polici se shantazhohej në Instagram nga dy kushërinjtë Renato Hasula dhe Kenad Shira, djem tezesh dhe se për këtë shkak kishte ditë që nuk shkonte në shkollë pasi ndihej e frikësuar. Kjo bëri që 39-vjeçari bashkë me dy vëllezërit e tij, ka kërkuar që të sqarohet me dy të miturit të cilët morën edhe prindërit e tyre me vete në lokal, Eglantin Hasulën dhe Ilir Shirën, ku ky i fundit mbeti dhe i vrarë. Po ashtu mësohet se në dijeni të konfliktit kanë qenë dhe mësues të gjimnazit në Klos. Pasi kanë mbaruar shkollën dy kushërinjtë janë pritur nga autori dhe së bashku me prindërit kanë shkuar në lokal që të sqaroheshin, por duket se situata ka agravuar dhe më pas Mjeshtri qëlloi me armë zjarri në drejtim të tyre, duke vrarë babë e bir, Ilir dhe Kenad Shirën dhe plagosi Eglantin dhe Reanto Hasulën.
“Djali erdhi vetë në këmbë në qendrën shëndetësore“, thotë Bashkim Doda, kryeinfermieri i qendrës shëndetësore të Klosit në lidhje me të plagosurin Renato Hasula dhe babain e tij Eglantin Hasula.
“Rreth orës 1 e ca të drekës, gjatë turnit të parë, ka ardhur në qendrën shëndetësore një djalë i ri, i plagosur me armë zjarri. Ishte i plagosur në pjesën e qafës dhe në shpatull. I kemi dhënë ndihmë mjekësore. Më pas me ambulancë e kemi çuar drejt spitalit të Burrelit. Në këto momente ka ardhur dhe babai i ti. I dhamë ndihmën e shpejtë, ai ishte më rëndë. Kishte plumb në shpatull dhe në qafë. I vendosëm oksigjen”.