Gazetari i kronikës, Artan Hoxha ka postuar në rrjetet sociale një foto ku shfaqet me specialistin izraelit të përgjimeve Yoram Frig dhe “ngre alarmin” se ai është shfaqur sërish në Tiranë.
Në reagimin e tij, gazetari shkruan se specialisti izraelit i përgjimeve para 5 vitesh, me atë valixhen e IMSI-Catcher në dorë, u kalli datën gjithë politikanëve të rëndësishëm dhe “oligarkëve” në Shqipëri. Hoxha shton më tej se Yoram Frig në atë kohë u soll për qark gjithë vendit dhe asgjë nuk është bërë publike se çfarë regjistroi, çfarë dëgjoi dhe kujt ia dorëzoi.
Sipas tij, specialisti izraelit i përgjimeve thjesht bënte detyrën dhe i qëndronte strikt kontraktuesit, herë duke vendosur “çimka” dhe paisje moderne përgjimi dhe herë duke i çaktivizuar ato.
Hoxha shkruan se Yoram Frig në atë kohë u mblodhi një dorë të mirë parash nga pushtetarët, politikanët e korruptuar dhe biznesmenët më të rëndësishëm për të përgjuar, herë njërën palë dhe herë palën tjetër, deri në momentin kur u dekonspirua.
