Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se ka qenë ai që i ka shtyrë deputetët e ish-LSI të qëndrojnë në Kuvend deri në vendimin përfundimtar për djegien e mandateve të iniciuar sipas tij nga Lulzim Basha.
Meta u shpreh sonte në Vizion Plus, se Partia e Lirisë sot është në kushtet e gjyshit të tij dikur që iu dogj dy herë shtëpia dhe e ndërtoi sërish akoma më të fortë se në fillim.
“Këtë vendim që ata kanë marrë unë nuk ua kam harruar dhe nuk do ua harroj asnjëherë. Nuk ua fal as atyre 16 apo 17 të tjerë që nuk gjykuan politikisht që nuk dërguan një mesazh se çfarë vendimi të marrim. Edhe në dhjetor i kam futur unë me pahir sepse u digjeshin mandatet duke shfrytëzuar rastet e pretendimeve të lëvizjes studentore.
U kam thënë a jeni partia e rinisë apo çfarë jeni ju. Këto janë gjëra shumë të qarta dhe kjo është histori që ka kaluar. Nuk kam ardhur këtu për të vajtuar për atë që ka ndodhur. Gjyshit tim ia kanë djegur dy herë pushtuesit shtëpinë dhe ai e bënte më të mirë dhe më të madhe. Edhe ne jemi në këto kushte. Kemi një grusht pushtuesish. Nuk ka lidhje asnjë i huaj”, tha Meta.
Ai deklaroi se vendimi për ndryshimin e emrit të Partisë së Lirisë është menduar prej kohësh. Meta theksoi se pas datës 29 Tetor në PL do të zgjidhet një Komitet i Përhershëm që do të sjellë emra të rinj me një qasje ndryshe nga ajo e drejtimit të LSI.
“Vendimi për ndryshimin e emrit nuk u mor për 4 orë. Ata nuk donin ta besonin që Luli ishte i shitur. U kam bërë edhe një letër të dyve e kenë arkivën e presidencës, Bashës dhe Kryemadhit. Duke qenë se janë zgjedhjet dhe situate është e tensionuar, e shikoja që Basha ishte në sinkron me Ramën u them keni përgjegjësi të madhe. Nuk e bëra kot.
Nuk kisha ndonjë besim të madh. Unë e kam thënë se nëse kjo opozitë nuk fiton zgjedhjet unë do të jem në krye të opozitës. Kur je peng nuk ke si të fitosh. Në 26 Prill kam bërë të qartë që Ilir Meta në 24 Korrik mbaron deturën dhe më 25 kthehet. Disa gjëra i kam menduar prej kohësh. Për shumë çështje kemi diskutuar, por ata e kanë pranuar që kanë bërë gabime. E dinin që kjo ishte zgjidhje e pashmangshme.
Më 29 tetor kurorëzohet program politik i Partisë së Lirisë. Nuk kemi ende një program sepse do të diskutohet me grupe pune. Do të zgjidhet Komiteti i Përhershëm. Shumë personalitete që kanë qenë të LSI mund të mos jenë aty dhe shumë të tjerë që vijnë me qasje tjetër nga kjo forcë politike do kenë mundësi të përfshihen”, deklaroi ai.